Loading...

TESTIMI EKSTERN – NDËSHKIMI I PROFESORËVE


 Xhelal Zejneli



Testimi i jashtëm (ekstern) ka filluar të zbatohet në Maqedoni që nga viti shkollor 2013/14. Testimi i jashtëm eksperimental, që ndryshe quhet testimi pilot, u realizua në vitin 2009. Me të përfshihen, si nxënësit e arsimit fillor, ashtu edhe ata të arsimit të mesëm. Me testimin e jashtëm synohet të arrihen qëllime të caktuara në fushën e arsimit, si:
- vlerësimi, përkatësisht notimi i nxënësve nga arsimtarët apo nga profesorët e shkollave të mesme, të jetë më objektiv;
- të rritet niveli i rregullsisë të arsimtarëve dhe të profesorëve;
- të rritet rregullsia dhe disiplina e nxënësve;
- të evitohet falja e notës së pamerituar, mbi baza familjare, fisnore, miqësore, partiake, si dhe falja e notës së pamerituar – fëmijëve të personave të pushtetshëm.
            Me një fjalë, arsimtari apo profesori, gjatë orës së mësimit nuk mund të shtjellojnë tema që s’kanë të bëjnë me njësinë mësimore të parashikuar sipas plan-programit mësimor. Jashtëmësimore mund të jenë temat me karakter: kombëtar, politik, social, kulturor, partiak, fetar, sportiv, temat e dashurisë etj.
Gjatë orës mësimore, arsimtari apo profesori nuk duhet të bëjë shpëlarjen e trurit të nxënësve, madje në asnjë pikëpamje: ideologjike, nacionaliste, fetare apo antifetare. Nxënësi në asnjë mënyrë nuk duhet të ushqehet me pikëpamje naziste, fashiste, raciste, ksenofobike, luftënxitëse dhe ultranacionaliste.
Vetëdijen kombëtare nxënësi e formon dhe e zhvillon në kuadër të lëndëve të caktuara, siç janë: gjuha amtare, letërsia kombëtare, historia kombëtare, gjeografia kombëtare, arti figurativ dhe arti muzikor - pjesët që kanë të bëjnë me autorët dhe me motivet kombëtare.
Tema të caktuara që kanë të bëjnë me dukuritë negative në shoqëri, arsimtari apo profesori mund të trajtojnë gjatë orëve të kujdestarisë. Pra, për t’iu përmbajtur njësisë mësimore dhe plan-programit mësimor, temat e lira arsimtari apo profesori duhet t’i realizojë gjatë veprimtarive tëlira që parashikohen në shkollë.
Testimi i jashtëm i nxënësve ka të meta të caktuara:
- përpilimi jo mjaft profesional i pyetjeve;
- një përqindje e caktuar e pyetjeve nuk është në përputhje me plan-programet mësimore;
- shkolla të caktuara nuk posedojnë kapacitet hapësinor të duhur për realizimin normal të testimit të jashtëm;
 - shkolla të caktuara nuk posedojnë potencial teknik të mjaftueshëm për realizimin e testimit të jashtëm;
- një pjesë e madhe e testatorëve (mbikëqyrësve), gjatë orës së realizimit të testimit të jashtëm, nuk janë në krye të detyrës. Me fjalë të tjera, ka testatorë që i lejojnë nxënësit të kopjojnë;
- gjatë testimit të jashtëm, përkundër pranisë së testatorit, nxënësit kopjojnë nga njëri-tjetri, i përdorin telefonat celularë, kopjojnë prej teksteve shkollore që i marrin me vete; nëpërmjet celularëve, shfrytëzojnë të dhëna edhe nga interneti;
- në hapësirat shkollore ku mbahet testimi i jashtëm, nuk ka të montuara kamera;
- gjatë ditëve të testimit të jashtëm, jo rrallë ndodh të paraqiten edhe probleme në rrjetin internetik;
- lëshime të caktuara mund të ndodhin edhe gjatë përpunimit të të dhënave nga testimi i jashtëm;
- për të mos dalë shkolla me rezultate të dobëta, ka raste kur drejtoria e shkollës e angazhon ndonjërin prej arsimtarëve apo profesorëve që t’ua tregojë pyetjet nxënësve, nga lënda e caktuar.
 Si rrjedhojë e problemeve, e lëshimeve të mundshme, e të metave, e dobësive dhe e vështirësive të sipërthëna, arsimtari apo profesori ndëshkohet me 20% të rrogës mujore. Me një fjalë, po qe se vlerësimi i arsimtarit apo i profesorit, i kryer më 10 qershor të vitit shkollor, shmanget për dy nota nga ajo e testimit të jashtëm, arsimtari apo profesori ndëshkohet me 20% të rrogës mujore. Një ndëshkim i këtillë është i paarsyeshëm, jologjik dhe absurd. Përse?
Shkolla është institucion edukativo-arsimor. Nxënësit, qofshin të arsimit fillor, qofshin të arsimit të mesëm, krahas mësimdhënies dhe mësimnxënies, kanë nevojë edhe për edukim shkollor. Por, testimi i jashtëm ndikon që sot e tutje, arsimtari t’i kushtojë rëndësi vetëm procesit mësimor dhe fare pak procesit edukativo-arsimor. Një gjë e tillë është në kundërshti me rregullat dhe me parimet pedagogjike dhe psikologjike. Një gjë e tillë është në kundërshti edhe me moshën e nxënësve, sidomos të adoleshentëve.
Projektuesit apo nismëtarët e testimit të jashtëm nuk duhet të harrojnë se arsimtari apo profesori nxënësin e ka para vetes plot nëntë muaj. Testuesi i jashtëm ndërkaq s’e sheh nxënësin fare. Me një fjalë, brenda një viti shkollor që zgjat mbi nëntë muaj, arsimtari apo profesori e noton nxënësin disa herë: me dy apo me katër hartime, me dy apo me katër teste. Ka arsimtarë apo profesorë të cilët, përpos vlerësimeve me shkrim, i vlerësojnë nxënësit edhe gojarisht. Në përputhje me plan-programin mësimor, në lëndët e gjuhës, e sidomos në lëndën e gjuhës amtare dhe të letërsisë, nxënësit janë të detyruar të lexojnë edhe nga shtatë lektyra e më tepër.
Nxënësi në shkollë vlerësohet edhe mbi disa baza të tjera, si: ardhja e rregullt në shkollë, të qenët veprues gjatë orës së mësimit, niveli i interesimit, të qenët ambicioz, afinitetet e veçanta që i posedon nxënësi i caktuar, zgjuarsia e nxënësit, ndjenja e përgjegjësisë, prirjet e veçanta siç janë: aktrimi, recitimi, aftësia për të imituar; pjesëmarrja në veprimtari të lira siç janë recitimi, drama; pjesëmarrja në veprimtaritë muzikore, siç është korri i shkollës; prirja e nxënësit për t’u marrë me krijimtari letrare artistike; prirjet e nxënësit në lëmin e artit figurativ; prirjet e nxënësit në sporte të caktuara etj.
Asgjë nga kjo që u tha më sipër, testimi i jashtëm nuk e merr parasysh.
Edhe pse disiplina dhe rregullsia e nxënësit vlerësohen me notën e sjelljes, arsimtari apo profesori, me rastin e vlerësimit përfundimtar të nxënësit, duhet të marrin parasysh edhe sjelljen, disiplinën dhe rregullsinë e nxënësit.
Përveç kësaj, testuesi i jashtëm duhet ta dijë se arsimtari apo profesori, lidhur me suksesin dhe me sjelljen e nxënësit komunikon rregullisht edhe me prindërit.
Me fjalë të tjera, vlerësimi përfundimtar, d.m.th. nota përfundimtare e arsimtarit apo e profesorit në fund të vitit shkollor bazohet në shumë parametra, ndërkaq nota e testimit të jashtëm bazohet vetëm në një provim kompjuterik që zgjat rreth 50 minuta.
Testimi i jashtëm ka edhe një të metë tjetër: nuk e përfill sa duhet, për të mos thënë fare, taksonominë e Blumit (Benjamin Samuel Bloom 1913-1999; psikolog edukativ amerikan). Sipas Blumit, nxënësi vlerësohet me notë maksimale kur e jep përgjigjen e cila nuk ndodhet në tekstin shkollor, por e zbulon vetë, me gjykimin, logjikimin dhe rezonimin e vet.
Vlerësimi përfundimtar i arsimtarit, përkatësisht i profesorit bazohet mbi të gjitha në aftësitë kreative të nxënësit, d.m.th. në kreativitetin e tij. Vlerësimi përfundimtar i arsimtarit apo i profesorit paraqet përmbledhjen apo sublimimin e disa faktorëve themelorë, relevantë dhe të pashmangshëm që ndërlidhen me procesin e vlerësimit, që zgjat gjatë tërë vitit shkollor, e që është në përputhje me normat, me parimet, me rregullat dhe me standardet pedagogjike dhe psikologjike - klasike dhe bashkëkohore.
Të mos harrojmë se nxënësi nuk është robot, por qenie me ndjenja dhe emocione. Ditën e testimit të jashtëm, nxënësi, për arsye nga më të ndryshmet, mund të mos jetë në gjendje ta realizojë testin. Teknika kompjuterike mund të bëjë çmos, por jo edhe në depërtojë në shpirtin e fëmijës apo të nxënësit të moshës pararinore (adoleshente).

* * *
Mospërputhja e notës së arsimtarit apo të profesori me notën e testimit të jashtëm – Kjo mund të ndodhë për disa arsye? Ka shumë raste kur arsimtari apo profesori i ka falur nxënësit notë kaluese, apo dyshin ia ka rritur në tresh. I njëjti nxënës ndërkaq, gjatë testimit të jashtëm ka kopjuar dhe ka marrë katër ose pesë. Rezulton që vlerësimi i arsimtarit apo i profesorit të shmanget për dy nota apo edhe për tri nota dhe si rrjedhojë, pa fajin e vet, ai ndëshkohet me 20% të zvogëlimit të pagës mujore. Raste të tilla që nxënësi të cilit i është falur dyshi apo treshi, e që në testimin e jashtëm të ketë marrë katër apo pesë, ka mjaft. Shtrohet pyetja: si është e mundur që në testimin e jashtëm të marrë katër apo pesë nxënësi i cili ka 7-8 nota të dobëta?!
            Në rastin e sipërthënë, arsimtari apo profesori, jo vetëm që s’duhet të ndëshkohet, por përkundrazi duhet të shpërblehet, për arsye se vlerësimin e ka kryer në mënyrë (relativisht) objektive, pra nuk e ka fryrë notënsindrom ky nga i cili lëngon arsimi shqiptar në Maqedoni, madje në të gjitha nivelet e tij. Arsimtari apo profesori që ruan kriter, jo vetëm që nuk duhet të ndëshkohet me 20% të heqjes nga rroga, përkundrazi ai duhet të çmohetnë këtë kohë rrënimi të vlerave dhe relativizmi e banalizimi të çdo kriteri.
            Ka raste të jenë ndëshkuar dhe profesorë që kanë marrë pjesë si vlerësues të testeve të maturës shtetërore. Ç’paradoks?! Është vlerësues testesh të maturës shtetërore, e në anën tjetër shpallet vlerësuesi i dobët i nxënësve të vet, të cilët i ka nëntë muaj para vetes?!
Po qe se arsimtari apo profesori nuk është në gjendje t’i vlerësojë nxënësit e vet në mënyrë objektive, atëherë problemi duhet të jetë shumë më i thellë dhe më i ndërlikuar: vihet në dyshim i tërë sistemi i arsimit në Maqedoni – fillor, i mesëm dhe ai universitar. Sidomos arsimi shqiptar.
Shtrohet pyetja: Ç’u bë me gjithë ato trajnime të arsimtarëve apo të profesorëve që u organizuan vitet e fundit në Maqedoni nga reformatorë të ndryshëm të lëmit të arsimit, sidomos nga USAID-i?!. Çfarë efekti pati pjesëmarrja vite me radhë e arsimtarëve apo e profesorëve nëpër seminare të ndryshme?!
Shumë arsimtarë dhe profesorë vitet e fundit janë shpërblyer prej shkollave të veta, prej organeve komunale dhe prej forumeve të tjera me lloj-lloj certifikatash, dëshmish, mirënjohjesh dhe lëvdatash “për kontribut të madh e të jashtëzakonshëm në lëmin e arsimit dhe për edukimin e brezave të rinj…” A thua kjo mori lëvdatash dhe mirënjohjesh janë një formalitet i kulluar, apo laureatët e tyre vërtet i kanë merituar?!
* * *
Testimi i jashtëm ka për qëllim të ndikojë që vlerësimi i arsimtarit apo i profesorit të jetë sa më objektiv. Kjo mënyrë e testimit të jashtëm, jo vetëm që nuk do ta arrijë qëllimin, por përkundrazi, rrezikon të arrijë edhe efekt të kundërt – të rrënojë akoma më shumë edhe objektivitetin ekzistues.
Me testimet e maturës shtetërore si dhe me testimet e jashtme testohen: nxënësi, arsimtari, profesori si dhe shkolla. Me to testohet i tërë sistemi i arsimit, e në veçanti politika e shtetit në fushën e arsimit. Testimit askush nuk duhet t’i shmanget.
* * *
Publikimi i emrave të arsimtarëve apo të profesorëve, të ndëshkuar me 20% heqjeje të rrogës – në rrjetin internetik - është një akt i paarsyeshëm. Me një veprim të tillë, arsimtari apo profesori degradohet tanimë edhe profesionalisht. Autoriteti i tij vihet në dyshim para nxënësve, kolegëve, drejtorisë së shkollës, prindërve dhe mbarë shoqërisë. Integriteti dhe dinjiteti i individit është i pacenueshëm.

Duhet pasur kujdes që me testimin e jashtëm të mos arrihet kundërefekt. 
Të gjitha publikimet 8516366528556739675

Post a Comment

emo-but-icon

Home item

Arkivi

Më të lexuarat

VIDEO