Loading...

NATA E KRISTALTË - POGROM MBI SHQIPTARËT NË SHKUP


Xhelal Zejneli 





Në mesnatën e 9 dhe 10 nëntorit të vitit 1938, forcat paramilitare naziste SA të Gjermanisë, kryen një seri sulmesh të bashkërenduara ndaj tregtizave dhe ndaj lokaleve afariste të hebrenjve. Sulme të ngjashme u ndërmorën edhe në Austri. Pretekst i këtyre sulmeve kundër hebrenjve ishte vrasja e diplomatit gjerman në Paris Ernst vom Rath, më 9 nëntor 1938, nga hebreu 17-vjeçar Herschel Grynszpan. Gjatë këtij pogromi u vranë 91 hebrenj dhe mbi 1000 sinagoga u dogjën. Vetëm në Vjenë u dogjën 95 sosh. 

Pogromi mbi hebrenjtë, i kryer në mesnatën e lartpërmendur njihet në histori si: Kristalnacht, Pogromnacht, Novemberpogrome, Nata e xhamave të thyera.



* * *

  Netë të kristalta kanë përjetuar edhe shqiptarët në Maqedoni. Në natën e 28 prillit të vitit 2001 një pogromnacht ndodhi edhe në qytetin e Manastirit. Si pretekst i sulmeve kundër shqiptarëve të pambrojtur shërbeu vrasja e tetë pjesëtarëve të forcave të sigurisë të Maqedonisë, që ndodhi më 28 prill të vitit 2001 në fshatin Vejcë të Sharrit të Tetovës. Katër prej tyre ishin nga Manastiri.

Gjatë këtyre sulmeve të kryera nga turmat sllavo-maqedonase, u sulmuan shtëpitë, banesat, tregtizat dhe lokalet afariste të shqiptarëve të qytetit të alfabetit. Pogrome ndaj shqiptarëve u kryen edhe në Shkup dhe në Veles.

Lidhur me thyerjen, demolimin dhe djegien e lokaleve afariste të shqiptarëve reagoi edhe presidenti i SHBA-së Xhorxh W. Bush, i cili kërkoi nga kreu shtetëror i Maqedonisë që dhuna mbi shqiptarët e pambrojtur të ndërpritet menjëherë.



* * *

Vrasja e një të riu sllavo-maqedonas nga një i ri shqiptar që ndodhi në Gjorçe Petrov të Shkupit më 20 maj të vitit në vazhdim, turmave sllavo-maqedonase u shërbeu si pretekst për t’i sulmuar dhe për t’i demoluar tregtizat dhe lokalet afariste të shqiptarëve të qendrës së banuar të sipërthënë.

 Zbardhja e rrethanave në të cilat kishte ndodhur ngjarja tragjike është detyrë dhe kompetencë e organeve të hetuesisë dhe të gjyqësisë. Lidhur me rastin e lartpërmendur, turmat sllavo-maqedonase e morën drejtësinë në duart e veta, dolën në rrugë, i thyen dhe i shkatërruan lokalet afariste të shqiptarëve. Gjatë sulmeve kundër shqiptarëve dhe pasurive të paluajtshme të tyre nga turmat sllavo-maqedonase, rëndom përdoret edhe gjuha e urrejtjes. Turma sllavo-maqedonase e Shkupit kërkoi vdekje për shqiptarët.

Nga pogromet e sllavo-maqedonasve kundër shqiptarëve që ndërmerren kohë pas kohe, mund të konstatohet:

- hendeku i thellë që ekziston midis dy bashkësie etnike – shqiptarëve, në një anë, dhe sllavo-maqedonasve, në anën tjetër;

- mungesa e tolerancës ndëretnike;

- mungesa e gatishmërisë për bashkëjetesë midis dy popujve;

- ngarkesa e të rinjve sllavo-maqedonas me paragjykime dhe stereotipe ndaj shqiptarëve;



Me një fjalë, marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të ndera dhe të tensionuara.



Nuk është vështirë të konkludohet se organet shtetërore të rendit, në këto raste gjithmonë reagojnë me vonesë, d.m.th. pasi të jenë shkatërruar pronat e shqiptarëve. Mosndërhyrja në kohë e organeve kompetente të rendit për t’i parandaluar turmat sllavo-maqedonase, nxjerr në sipërfaqe dilema të ndryshme:

- sulmet e kohëpaskohshme ndaj shqiptarëve, janë spontane apo janë të orkestruara nga qendra të caktuara ultranacionaliste antishqiptare?!;

- në ç’frymë vallë edukohen dhe formohen të rinjtë sllavo-maqedonas në arsimin fillor, të mesme dhe në atë universitar?!



Ky vend dyetnik nuk do të mund të shndërrohet në shtet të qëndrueshëm dhe demokratik, po qe se të rinjtë sllavo-maqedonase do të ushqehen me gjuhën e urrejtjes, të mostolerancës dhe me paragjykim e stereotipe ndaj shqiptarëve. Shkollat nuk janë institucione për shpëlarjen e trurit të fëmijëve, të nxënësve apo të studentëve. Ky shtet dyetnik kurrë nuk do të stabilizohet përderisa pala sllavo-maqedonase, rininë e vet e ushqen me ksenofobi.

Sulmet ndaj shqiptarëve janë në kundërshti edhe me synimet e Uashingtonit dhe të Brukselit për një Maqedoni demokratike, multietnike dhe multikulturore.

Si do të hyjë ky shtet në NATO dhe në BE me këtë ndasi ndëretnike dhe me marrëdhënie ndërnacionale, vazhdimisht të ndera dhe të tensionuara.

Qëllimi i fundit i organizuesve të këtyre pogromeve ndaj shqiptarëve është frikësimi i shqiptarëve në zonat në të cilat janë të pambrojtur nga shteti, me qëllim pastrimi etnik. Me një fjalë, synimi i tyre është dëbimi i shqiptarëve nga vatrat shekullore. Kjo të përkujton veprimet e zjarrvënësit të Ballkanit, Millosheviqit dhe të radikalit serb që gjykohet në Hagë për krime lufte – Vojisllav Sheshelit, për zbrazjen e Kosovës nëpërmjet korridoreve të Gligorovit.  

Është detyrë e pjesëmarrësve shqiptarë në qeveri që të veprojnë me vendosmëri për t’i parandaluar skenarët e gjenocidit, në Evropën e shekullit XXI.

Politika e dhunës mbi shqiptarët është strategji e shtetit, me tendencë për t’u shndërruar në politikë shtetërore!   
Të gjitha publikimet 5935892924706746512

Post a Comment

emo-but-icon

Home item

Arkivi

Më të lexuarat

VIDEO