ALFABETI I GJUHËS SHQIPE - KONGRESI I MANASTIRIT
http://xhelalzejneli.blogspot.com/2013/11/alfabeti-i-gjuhes-shqipe-kongresi-i.html
Xhelal Zejneli
Shqipja e shkruar
dokumentohet që nga shekulli XIV me alfabetin latin. Autorët e shekujve
XVI dhe XVII përdorën alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. Po këtë alfabet, të plotësuar me ndonjë shenjë greke, e përdorën edhe shkrimtarët arbëreshë. Duke qenë se greqishtja përdorej si gjuhë e kishës
ortodokse, shqipja u shkrua edhe me shkronja greke. Nën trysninë e islamizmit dhe të pushtuesve osmanë, në shkrimin e shqipes, që nga fillimi i
shekullit XVIII, u përdor edhe alfabeti turko-arab. Më të u
shkruan krijimet letrare të bejtexhinjve.
Pra:
- dokumentet e
para në gjuhën shqipe (Formula e
pagëzimit, 1462; dhe Fjalorthi i Arnold fon Harfit, 1496) janë shkruar me alfabet latin;
- dëshmia e parë
me alfabet grek është Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja e Ungjillit, i shkruar në
dialektin jugor të shqipes, në një fletë karte, të gjetur në një kodik të
shekullit XIV; (Ka që thonë se ky shkrim
i përket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI);
- libri i parë në gjihën shqipe, Meshari
i Gjon
Buzukut i vitit 1555, dhe tekste të tjera të shekullti XVII dhe të
gjysmës së parë të shekullit XVIII janë shkruar me alfabet latin, plotësuar me disa shkronja të veçanta;
- në shekullin
XVIII autorët e letërsisë së bejtexhinjve përdorën alfabetin turko-arab.
* * *
Për shkrimin e
shqipes, për të vënë në pah individualitetin e saj dhe të popullit shqiptar, u
ndoq edhe një rrugë tjetër - ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta.
Nga shekulli
XVIII, mbase edhe më parë, u krijuan disa
alfabete të tilla. Orvatja më fatlume qe ajo e veprimtarit dhe e mësuesit të
gjuhës shqipe Teodor Haxhifilipit (rreth
vitit 1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todri, shkrimi i të
cilit pati njëfarë përhapjeje.
Në një frymë të
re, thellësisht kombëtare, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të shqipes ideologu i
parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtari i shquar iluminist
dhe veprimtari i shkollës shqipe Naum
Veqilharxhi (Naum Bredhi,
1767-1846). Më 1824 dhe 1825 ai e kishte nisur tashmë punën për një alfabet të tijin me 33 shkronja. Më 1844 ai shtypi
një gjuhën shqipe një abetare prej
tetë faqesh. Ky libër i vogël me titull Fort
i shkurtër e i përdorçim
ëvetar shqip, u shpërnda
në mbarë Shqipërinë e jugut, nga Korça në Berat. Në vitin
1845, në një botim të dytë, kjo broshurë u zgjerua deri në 48 faqe, me titull Fare i ri abetor shqip për djelm nismetore.
Përpjekje të
mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për gjuhën shqipe u bënë
në vitet ’60 të shekullit XIX si dhe më pas, nga një grup atdhetarësh dhe
veprimtarësh të shquar të Rilindjes Kombëtare, siç ishin: lëvruesi dhe studiuesi i dalluar i gjuhës shqipe, veprimtari i arsimit
dhe i kulturës Kostandin Kristoforidhi (1872-1895), poeti dhe publicisti
patriot Pashko Vasa (1825-1892),
atdhetari i madh, filozofi dhe
mendimtari i shquar në fusha të ndryshme të diturisë Hasan Tahsini (1811-1881),
atdhetari dhe mendimtari shquar Jani Vreto (1822-1900), rilindësi i shquar, ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare, dijetari i madh, shkrimtari dhe publicisti Sami Frashëri (1850-1904) etj.
Përpjekjet e tyre
u kurorëzuan me sukses në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878).
Në fillim të
viteve 1879 u pranua alfabeti i parashtruar nga Sami Frashëri, i bazuar në
parimin “një tingull me një germë dhe një
germë për një tingull”. Ky alfabet, i njohur me emrin “alfabeti i Stambollit”,
u mbështet në alfabetin latin, duke u plotësuar me disa shkronja greke dhe me shkronja të tjera të veçanta. Me të u bënë shumë botime, u përhap gjerësisht dhe deri në fund të
shekullit XIX ishte alfabeti kryesor i Rilindjes Kombëtare.
Nga fundi i
shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX një përhapje jo të vogël pati edhe alfabeti
i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, të cilin – me pak ndryshime – e
përshtati edhe revista “Albania” e Faik Konicës, që botohej në Bruksel - në vitet
1987-1902 dhe në Londër - në vitet 1903-1909. Me shkrimet e saj, kjo revistë
luajti një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët, të vendosur në Kongresin e Manastirit më
1908.
Kur numri i
botimeve shqipe u shtua, ndërsa rrjeti i shtypjes së tyre u zgjerua, kushtet
teknike dhe arsye të tjera bënë që të krijohen e të përdoren alfabete të ndryshme.
Gjithnjë e më
shumë u përdor alfabeti thjesht latin
në variante të ndryshme, duke u plotësuar shkronjat e tij me diagrame (dyshkronjësha) ose me shenja diakritike
(ç, ë). Ndryshmëria
e alfabeteve të përdorura në praktikën e botimeve erdhi duke u shtuar.
* * *
Shumë nacionalistë
shqiptarë ushqyen besim te lëvizja e
xhonturqve, e cila do të shpinte në revolucionin e korrikut të vitit 1908,
dhe pas një viti, në përmbysjen e Sulltan Abdylhamidit II. Edhe shqiptarët vetë luajtën një rol me rëndësi
në revolucionin e xhonturqve, i cili e
përshpejtoi fundin e kësaj periudhe të stagnimit të përgjithshëm, e që më
23.07.1908 i dha Perandorisë kushtetutë, ndërsa qytetarëve - kinse barazi. Por
shpresat që shqiptarët kishin mbështetur te xhonturqit, u shuan shpejt. U u bë
e qartë se administrata e ishte po aq
centraliste sa edhe e vjetra, në mos
dhe më shumë. Shqiptarët nuk do të bënin pjesë në atë valë nacionalizmi mbarëturk
që po përhapej nëpër Evropë.
Dervish Hima thoshte se shqiptarët nuk janë tjetër veçse
“shqiptarë” dhe nuk do ta ndjenjë veten të kënaqur veçse kur të jenë të lirë në një Shqipëri të lirë, si
një pjesë e një konfederate shtetesh të pavarura ballkanike nën suzerenitetin e
Sulltanit (Archives du Ministère des Affaires Etrangères de France, Shkodër, 26
gusht 1908, dhe Pinon 1909, f. 813).
Ndërsa shpresat për
autonomi nuk po fuqizoheshin, shqiptarët
arritën të përfitojnë nga reformat e
xhonturqve dhe nga liberalizimi
relativ në çështjet kulturore. Ngritën
shkolla në gjuhën shqipe dhe themeluan gazeta në këtë gjuhë si dhe klube
patriotike. Por rrethi tragjik i shtypjes dhe i kryengritjeve të përgjakshme
vazhdonte.
* * *
Po në këtë kohë,
prej 14 deri më 22 nëntor 1908 u
mblodh Kongresi i Manastirit, për të shqyrtuar në atë fazë disa çështje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare, në
radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit
të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë
politik, arsimor dhe kulturor dhe një kërkesë
e ngutshme e Lëvizjes Kombëtare.
Nismëtar i
thirrjes së këtij kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit ishte klubi “Bashkimi”
i Manastirit. Organizimi i kongresit të alfabetit u propagandua nga Mithat
Frashëri në revistën e tij Lirija.
Në një artikull të botuar në të, midis tjerash ai shkruan: “...ardhi një ditë e
pëlqyer për istorinë tonë, që të nisim liruar' e pa pengim të punojmë për
mbrodhësin' e lumturin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e
pëndë, andaj kjo çështje
e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuk do mundim të arrijmë qëllimetë
tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë”.
Në Kongres morën
pjesë 50 delegatë të shoqërive, të
klubeve dhe të organeve kombëtare të pjesës më të madhe të trevave shqiptare,
si dhe të kolonive shqiptare në vende të ndryshme, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues
të gjuhës dhe mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kulturore dhe
politike kombëtare.
Për të studiuar çështjen e alfabetit dhe për të dalë me propozime, kongresi zgjodhi një komision prej 11 anëtarësh, të përbërë nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim. Në komision bënin pjesë
Gjergj
Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Mithat Frashëri, Shahin Kolonja, Dhimitër
Buda, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor Cilka.
Kryetar i kongresit u zgjodh Gjergj Fishta,
ndërsa atë e drejtoi Mithat Frashëri – bir i Abdyl Frashërit.
Fishta, Mjeda, Mati Logoreci, L. Gurakuqi dhe Hilë
Mosi vinin nga Shkodra; Sh. Kolonja dhe
Petro Nini Luarasi – nga Kolonja; Thoma Avrami – nga Korça; S. Peci – nga Bostoni dhe B. Topulli e familja Qiriazi – nga Manastiri.
U arrit menjëherë
mendimi i përbashkët që, pavarësisht nga alfabeti që do të përcaktohej,
kryesorja të ruhej uniteti kombëtar. Këtë ide Fishta e shprehu duke thënë: “...sado që jam dërguarë prej shoqërisë Bashkim, s’kam ardhurë
për të mprojtur atë abece, po për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi të tërë”.
Tre alfabetet kryesore që u morën në shqyrtim qenë:
- alfabeti
i Agimit, i shoqërisë letrare Agimi
të Shkodrës, i propozuar nga Ndre Mjeda;
- alfabeti
i Bashkimit, i shoqërisë letrare Bashkimi
të Shkodrës, i hartuar nga Prenk Doçi; dhe
- alfabeti
i
Stambollit,
i hartuar nga Sami Frashëri.
Kishte shqiptarë,
kryesisht të jugut, të cilët parapëlqenin alfabetin tradicional të Stambollit.
Shqiptarët e veriut ndërkaq, pëlqenin alfabetin e Bashkimit të Shkodrës, i
cili ishte më praktik për botime, ngase nuk kishte shkronja jolatine.
Në kongres u
shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjera: alfabeti grek, i përhapur për përdorim të shqipes nga Konstandin
Kristoforidhi, dhe alfabeti arab,
të cilin një numër i caktuar i myslimanëve, sidomos në Maqedoni dhe në Kosovë,
vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për një kohë të caktuar pas
kongresit. Një prej tyre që përkrahu alfabetin
arab ishte edhe veprimtari i lëvizjes kombëtare, kleriku Rexhep
Voka (Shipkovicë, Tetovë 1847-
Stamboll 1917). Ai u përfshi në
lëvizjen për çlirimin kombëtar dhe për
mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare, për mësimin e shqipes dhe përhapjen e
diturisë, si rrugë e emancipimit kombëtar të shqiptarëve. Në vitin 1903 Ishte
myftiu i vilajetit të Manastirit. Përkrahu idenë e shkrimit të shqipes me alfabet arab, gjë që u kundërshtua nga
veprimtarë të Rilindjes. Me këtë alfabet botoi dhe një abetare (“Elifbaja shqipe”, 1910) dhe një libër
mësimi të shqipes e të normave të fesë islame (“Mendime”, 1911).
Pas disa ditësh të
përshkuara me diskutime, dhe duke marrë gjatë kësaj kohe edhe telegrame nga
mbarë Shqipëria, me kërkesën që të vendosej njëri apo tjetri alfabet, Komisioni
vendosi t’i pranojë variantet e modifikuara:
- të alfabetit të
Bashkimit; dhe
- të alfabetit të
Stambollit.
Tani, në shkolla
dhe në botime mund të përdoreshin të dy alfabetet. Megjithëkëtë, pranimi nga të
gjithë i vendimit të Komisionit do të
donte ende kohë.
Pra, pas mjaft
diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin
latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me nëntë dyshkronjësha, d.m.th.
diagrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë). Pra, në fund Komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohej përdorimi, si i
alfabetit të Stambollit, që kishte një
përhapje të gjerë ndër shqiptarë, ashtu edhe i alfabetit të ri. Dy alfabetet ndryshonin vetëm në shtatë shkronja.
Vendimet e
kongresit, që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të
shqipes për afrim e njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda
dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim. Brenda pak vitesh alfabeti i
krijuar nga Kongresi i Manastirit fitoi epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm
i shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një hap i rëndësishëm për njësimin
e drejtshkrimit
dhe të gjuhës letrare shqipe.
* * *
Kongresi i
Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare
kombëtare, për arsimin dhe për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare në përgjithësi. Gjatë ditëve të kongresit u organizuan takime të veçanta dhe mbledhje të mbyllura me delegatët, ku u
rrahën çështje të mprehta politike. Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të
afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të
organizatave kombëtare dhe për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre.
U hartua edhe një
program
kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikash, që iu dha
deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta
paraqitur në emër të shqiptarëve - në parlamentin
osman.
Kongresi i
Manastirit e ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë. Për të janë
bërë botime të posaçme, si përmbledhja “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i
Manastirit” (1972) dhe studimi “Kongresi
i Manastirit” (2004) nga Shaban Demiraj dhe
Kristaq Prifti.
Përcaktimi i kombit shqiptar
për alfabetin latin kishte për të një rëndësi politike të jashtëzakonshme. Një
përcaktim i tillë ishte i natyrshëm. Kjo dëshmoi qartë se shqiptarët janë një
popull evropian - pjesë e pandarë e qytetërimit
perëndimor.
* * *
Problemi i
alfabetit qe një temë politike e diskutuar gjatë Rilindjes, e kështu do të
mbetej edhe për disa vjet me radhë, përkatësisht deri në nitin 1908. Sidoqoftë,
me vendimin për të mbështetur një zgjidhje
kompromisi, Kongresi shtroi rrugën për një kalim shkallë-shkallë nga alfabeti i Stambollit te alfabeti i tanishëm i shqipes, i bazuar
në shkronja latine, si dhe arriti të
mënjanojë mjaft polemika dhe kundërshtime në vitet e mëvonshme.
Ndonëse një gjuhë
letrare, me një drejtshkrim përfundimtar për të
gjithë leksikun u vendos jo më parë se në vitin 1972 në Kongresin e drejtshkrimit të
gjuhës shqipe të mbajtur në Tiranë prej 20 deri më 25 nëntor 1972,
vendimet e miratuara 64 vjet më herët në Kongresin e Manastirit, e lehtësuan
mjaft formimin e disa normave gjuhësore
në fushën e botimeve dhe ndihmuan në ecjen përpara të një letërsie shqiptare më të njësuar.
* * *
Sot shqiptarët e kremtojnë përvjetorin e Kongresit të
Manastirit. Por, ata nuk duhet të
harrojnë se qyteti i alfabetit – Manastiri historik, i cili dikur ka qenë
qytet i banuar kryesisht me shqiptarë, sot është zbrazur në përmasa frikësuese,
saqë është bërë vështirë të jesh shqiptar në këtë qytet. Pushteti serbo-sllav,
përkatësisht sllavo-maqedonas, që nga viti 1945 e këndej ka bërë çmos për t’i privuar shqiptarët e Manastirit nga
arsimimi në gjuhën amtare, nga e drejta për t’u punësuar dhe për të ushtruar çfarëdo veprimtarie ekonomike. Ndaj tyre është ndjekur politika e gjenocidit dhe e
aparthejdit. Të getoizuar, të margjinalizuar dhe të privuar nga çdo e drejtë kombëtare dhe njerëzore themelore,
shqiptarët e Manastirit u detyruan t’i marrin rrugët e migrimit, përtej deteve
dhe oqeaneve e deri në SHBA, Australi, Zelandë të Re dhe Kanada, për të mos u
kthyer kurrë më.
Sot shqiptarët
festojnë përvjetorin e alfabetit, duke harruar se ndërtesa ku u mbajt kongresi historik,
është sulmuar nga sllavo-maqedonasit - dhe jo një herë. Sulmuesit nuk duket të
jenë vandalistë të rëndomtë. Qeveria sllavo-maqedonase në të cilën bën pjesë
edhe faktori politik shqiptar, kurrë nuk arriti t’i zërë sulmuesit e shtëpisë së
alfabetit.
* * *
Shqiptarët nuk
duhet ta mitizojnë, as themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887 dhe as Kongresin e Manastirit për themelimin e alfabetit të gjuhës shqipe (1908).
Kur serbët e
kishin hartuar projektin e tyre kombëtar - Naçertanien (1844) e Ilia Garashaninit, ndërsa grekët Megali Idenë (1844) e Jan Koletit,
shqiptarët botuan Ëvetarin (1844) prej
tetë faqesh, të Naum Veqilharxhit;
Derisa shqiptarët
përpiqeshin t’i kapërcenin pengesat që ua krijonin autoritetet e Portës së Lartë
për të themeluar shkollë fillore me mësim në gjuhën amtare, në këtë periudhë,
fqinjët ballkanikë të tyre i kishin themeluar universitete dhe institucione
të tjera shkencore dhe arsimore.
Kroatët nuk janë
popull ballkanik dhe nuk kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, por të Austro-Hungarisë. Ky popull që kufizohet
me Gadishullin, universitetin e vet e ka themeluar qysh në mbarim të shekullit
XVII, përkatësisht më 23 shtator 1669.
Shqiptarët duhet
t’i kërkojnë shkaqet e vonimit të vet.