Loading...

KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË, Z. SALI BERISHËS

Xhelal Zejneli
I nderuar z. Kryeministër,

Me angazhimin Tuaj dhe të shumë intelektualëve të tjerë në fillim të viteve ’90 të shekullit që lamë pas, filloi në Shqipëri procesi historik i pluralizmit politik. Pluralizmi në Shqipëri i dha fund sistemit monist, njëpartiak dhe njëmendimit politik. Pluralizmi, pjesë e të cilit ishit Ju dhe shumë intelektualë të tjerë, i dha fund sistemit jodemokratik, ideologjisë totalitariste dhe pushtetit autoritar. Shqipëria e filloi rrugën plot peripeci të demokracisë parlamentare dhe të sistemit shumëpartiak
Gjatë qeverisjes Suaj, Shqipëria përjetoi një transformim të përgjithshëm dhe të gjithanshëm.
Ju arritët t’i ripërtërini lidhjet e Shqipërisë me botën perëndimore, të shkëputura gjatë periudhës komuniste.
Ju arritët t’i forconi lidhjet me SHBA-në, duke theksuar me të drejtë se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë.
Bëtë çmos - dhe ia dolët – që Shqipërinë ta bëni anëtare të NATO-s.
Kurrë nuk i harruat shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze: në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Greqi. 
S’i harruat as arvanitasit në Greqi,e as arbëreshët në Sicili e Kalabri. I patët parasysh edhe miliona shqiptarë në Turqi. E patët në zemër edhe diasporën heroike shqiptare në Evropë dhe në Amerikë.
I ndërtuat Shqipërisë autostrada dhe superstrada, përfshi edhe Rrugën e Kombit.
Kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë e organizuat në mënyrë të shkëlqyer. Në këtë festë të madhe të shekullit, u angazhua i tërë kombi shqiptar në Ballkan, përfshi dhe ngulimet historike shqiptare, bashkë me diasporën tonë. Me këtë rast, ju e theksuat në veçanti rolin e Gjermanisë, të Vjenës dhe të ShBA-së për themelimin e shtetit shqiptar si dhe për konsolidimin e kombit tonë. Ju deklaruat publikisht se bashkimi i kombit shqiptar është një akt historik i justifikueshëm.
Me projektin TAP, ia rritët Shqipërisë peshën strategjike para Evropës.  
Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të vitit 2013, për organizimin e përkryer dhe rrjedhën e qetë (me përjashtim të rastit tragjik që ndodhi në Laç e që ishte një rast i izoluar) u vlerësuan lart nga bota demokratike.  Ia bëtë me dije botës se shqiptarët janë popull me traditë, të trashëguar që nga koha ilire.
Gjatë qeverisjes Suaj, sigurisht që ka pasur edhe gabime. Por, nuk ka qeveri në botë që nuk gabon.
Dorëheqja Juaj pas 23 qershorit, ka qenë një akt i një politikani të tipit perëndimor, të cilin e shquan ndjenja e përgjegjësisë.
Rolin Tuaj për transformimin demokratik të Shqipërisë, do ta çmojë lartë historia.


Xhelal Zejneli
Të gjitha publikimet 6578053420304000775

Post a Comment

emo-but-icon

Home item

Arkivi

Më të lexuarat

VIDEO