Loading...

AFERA E DRAJFUSIT – ZOLA NË MBROJTJE TË SË VËRTETËS

Xhelal Zejneli



Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji (Kafka)

 Në vitet e fundit të shekullit XIX ndodhi në Francë një ngjarje e cila e tronditi, jo vetëm vendin por edhe mbarë Evropën. Ngjarja u quajt Afera e Drajfusit.
Ngjarjet kryesore gjatë kësaj afere të famshme, që e tronditi jo vetëm tërë vendin e Volterit, por edhe një pjesë të madhe të opinionit publik botëror, kanë  qenë, si vijon: Oficeri francez – grofi Ferdinand Valsen-Esterhazi (Walsin-Esterhazy), në vitin 1894 filloi t’i jepte atasheut ushtarak të ambasadës gjermane në Paris Maks fon Shvarckopenit (Max von Schëarzkoppen) dokumente ushtarake sekrete. Për punën e bërë, oficeri francez shpërblehej me para.
Gjatë kësaj veprimtarie të vet spiunuese, më 1 shtator 1894 i dorëzoi një dosje me akte apo shkresa, së cilës ia kishte bashkëngjitur edhe regjistrin e dokumenteve të dërguara deri atëherë. Regjistrin e sipërthënë, oficeri francez Valsen-Esterhazi e kishte shkruar me dorë të vet. Ndërkohë, ky dokument kishte rënë në duar të shërbimit francez të kundërzbulimit, i cili menjëherë u vu në kërkim të spiunit.
Kjo shënon fillimin e asaj që së shpejti do të quhet Aferë e Drajfusit.
Shpejt pas kësaj, shërbimi francez i zbulimit zuri një letër të cilën atasheu Shvarckopen ia kishte shkruar kolegut të tij – atasheut ushtarak italian në Paris, me të cilin kishte një bashkëpunim të ngushtë. Në atë letër përmendej edhe njëfarë spiuni francez i shënuar vetëm me germën D.
Duke e kontrolluar listën e oficerëve të shtatmadhorisë së ushtrisë franceze (gjeneralshtabit), organet franceze të hetuesisë u ndalën te emri i Alfred Drajfusit, kapiten 30-vjeçar i cili njëherazi ishte edhe i vetmi çifut i shtabit të përgjithshëm francez. Përse u ndalën te emri i tij? Kështu sepse germa D në letrën e atasheut gjerman dërguar kolegut të tij italian në Paris, përputhej me inicialin e Drajfusit, që po ashtu fillonte me D.
Duke qenë me prejardhje çifute, Alfred Drajfusi vetvetiu ishte i dyshimtë për disa oficerë të lartë francezë me orientim dhe disponim antisemitist.
Për ta deshifruar shkrimin e regjistrit të cilin Valsen-Esterhazi ia kishte bashkëngjitur dosjes dhe ia kishte dërguar atasheut gjerman në Paris - Shvarckopenit, organet kompetente franceze angazhuan ekspertë të grafologjisë për të parë nëse shkrimi në regjistër përputhej me atë të Alfred Drajfusit. Duke qenë se njëri prej ekspertëve deklaroi se dy shkrimet janë të ngjashme, Drajfusi u arrestua.
Gazetat nacionaliste të Francës ndërmorën një fushatë të ashpër kundër Drajfusit. Ata kërkuan njëzëri dënimin e tradhtarit  dhe linçimin e tij. Kundër Drajfusit u ngrit procedurë penale. Ajo u zhvillua me shumë parregullsi dhe në një atmosferë tejet të rëndë. Drajfusi i mohoi akuzat duke shtuar se në asnjë mënyrë nuk është i implikuar në rastin për të cilin fajësohet. Përkundër qëndrimit të prerë për pafajësinë e vet, ai u dënua nga gjykata ushtarake franceze me deportim të përjetshëm dhe më 5 janar 1895 u dërgua në Ishullin e Djallit. Ky ishull është  më i vogli dhe më veriori i brigjeve të Guajanës Franceze në Atlantik, ku deri më 1952 dërgoheshin të dënuarit politikë të Francës dhe të kolonive të saj. (Për Guajanën Franceze më 1973 u xhirua edhe filmi Papillon – Flutura).
Pas dy vitesh, shërbimi francez i zbulimit zuri edhe një letër të cilën grofi Esterhazi ia shkruante Shvarckopenit. Shpejt pas kësaj u konstatua se shkrimi i Esterhazit është identik me atë të “regjistrit”, për të cilin Drajfusi ishte dënuar si tradhtar dhe si spiun.
Familja dhe farefisi i Drajfusit kërkuan revizionin e procesit. Duke qenë të bindur se Drajfusi është dënuar i pafajshëm, këtë e kërkuan edhe shumë persona publikë të shquar,.
Ndërkohë, gruaja e Drajfusit i drejtohet për ndihmë romancierit dhe kritikut francez – Emil Zolës (emri i vërtetë Edouard Charles Antoine, 1840-1902). Me këtë rast, përfaqësuesi më i madh i natyralizmit francez – Zola, ngriti zërin e protestës dhe u vu në mbrojtje të së vërtetës. Më 13 janar 1898, në gazetën “L’Aurore” të Klemansosë (Clemenceau) botoi artikullin e famshëm “J’accuse...!” – Lettre au President de la Republique par Emile Zola (Akuzoj...! - Letër Presidentit të Republikës nga Emil Zola).
Botimi special i kësaj gazete përnjëherë u shit në 300.000 kopje. Ndërsa në Paris u mbajtën mitingje të mëdha protestuese. Letra e Zolës tronditi Francën dhe mbarë Evropën. Protestat shpërthyen në të gjitha metropolet e kontinentit të vjetër. Opinioni francez dhe evropian u nda më dysh: një pjesë e madhe – liberale, ishin me Drajfusin, të dënuar padrejtësisht, ndërkaq pjesa tjetër, ultranacionaliste – kundër tij.
Nën ndikimin e qarqeve konservatore dhe antisemitiste, prokuroria e shtetit – për shpifje - ngriti proces gjyqësor edhe kundër Zolës. Shkrimtari i famshëm u dënua me një vit burg dhe me 3.000 franga gjobë. Autori i Rugon-Makartëve dhe i Zherminalit u largua në Angli.
Por, me këtë vendim arbitrar dhe absurd të pushtetarëve francezë afera nuk mund të mbyllej. Bindja për pafajësinë e Drajfusit u forcua gjithnjë e më tepër.
Ndërkohë, fajtori kryesor - grofi Esterhazi - iku në Londër, kurse një oficer francez që kujdesej për ta strehuar, kishte përfunduar me vetëvrasje.
Revizioni i procesit të Drajfusit tani ishte i pashmangshëm. Ish kapiteni i ushtrisë franceze u rikthye nga Ishulli i Djallit ku ishte deportuar, për të marrë pjesë në procesin gjyqësor të përsëritur. Por, për ta ruajtur autoritetin e shtatmadhorisë së ushtrisë franceze dhe të qeverisë, Drajfusi u dënua përsëri, pavarësisht provave që ishin në favor të pafajësisë së tij.
Aktgjykimi kundër tij përsëri shkaktoi trazira të mëdha në mbarë vendin dhe në krejt Evropën. Çështja e Drajfusit nuk u hoq nga rendi i ditës. Pjesa nacionaliste e Francës ishte vërtet e fortë, por, po aq i fortë ishte edhe opinioni demokratik dhe liberal i vendit. Në fund, krejt afera mori fund dhe u mbyll, jo duke e shpallur Drajfusin të pafajshëm, por duke ia falur dënimin, pra nëpërmjet abolimit që ia dha Presidenti i Republikës – Emil Lube (Emile Loubet, 1838-1929).
Më në fund, më 19 shtator 1899, pasi qëndroi pothuajse 5 vjet i syrgjynosur në Amerikën Latine në Ishullin e Djallit, pranë Guajanës famëkeqe të Francës në Atlantik, Drajfusi u lirua nga faji. Me këtë rast ai deklaroi: “Qeveria e Republikës ma riktheu lirinë, por kjo s’paraqet kurrgjë për mua, derisa nuk ma rikthejnë edhe nderin”.
Shkrimtari i famshëm Franc Kafka më vonë do të thotë: “Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji.
Rehabilitimi i Drajfusit u krye shkallë-shkallë, në disa faza, ndërsa arriti kulmin më 22 korrik 1906, kur u dekorua me dekoratën e Legjionit të nderit. Ishte fëmija i nëntë i prindërve të tij çifutë. Vdiq në Paris më 1935, në moshën 75 vjeçare.

Pasi Drajfusi mori pafajësinë, shkrimtari Emil Zola nga Anglia u kthye në Francë ku u prit si hero dhe u shndërrua në ndërgjegje të kombit francez. Për qarqet liberale dhe demokratike të kontinentit u shndërrua në simbol të intelektualit i cili del nga kabineti i shkrimeve dhe nga kulla e fildishtë për ta ngritur zërin e protestës kundër padrejtësisë, në mbrojtje të së vërtetës.
Zola vdiq në kabinetin e tij të punës, në orët e hershme të mëngjesit, më 29 shtator 1902, nga helmimi me monoksid karboni që lëshonte koftori. Në varrimin e tij morën pjesë mijëra francezë. Familjes së tij i erdhën letra ngushëllimi nga të katër anët e vendit dhe nga mbarë Evropa. Me javë të tëra,  për të shprehur ngushëllime dhe për t’u regjistruar në librin e zisë, në shtëpinë e tij erdhën shumë shkrimtarë eminentë, filozofë, shkencëtarë, piktorë dhe politikanë.  
Shkrimtari i madh u varros në Cimetiere de Montmatre në Paris.
Pas gjashtë vjetësh, më 4 qershor 1908 u bë rivarrimi i mbetjeve të kufomës së tij, për t’u vendosur në Panteon, pranë Viktor Hygosë dhe Aleksandër Dymas. Në ceremoninë e  vendosjes së natyralistit të madh në Panteon mori pjesë edhe kolonel-lejtënanti Alfred Drajfus.
*   *   *
Inteligjencia shqiptare në Ballkan, aktin e Zolës duhet ta ketë shembull. Intelektuali, krahas profesionit që ushtron, duhet të ngritë edhe zërin e protestës, duke u vënë në shërbim të interesit të gjerë shoqëror. Ndryshe, mbetet një zanatçi i thjeshtë, pa lënë gjurmë në hapësirë dhe kohë. Inteligjencia shqiptare në Maqedoni duhet të dalë nga amullia, oportunizmi, konformizmi, indolenca, neglizhenca dhe mendësia provinciale dhe të vihet në mbrojtje të së vërtetës.




Të gjitha publikimet 3387666944388017547

Post a Comment

emo-but-icon

Home item

Arkivi

Më të lexuarat

VIDEO